Hoxhaj mbështet protestën e OVL-UÇK-së: Në emër të popullit të Kosovës, bashkë në protestë gjithëpopullore
Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka shprehur mbështetjen për protestën gjithëpopullore të thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila do të mbahet nesër në Prishtinë.
Hoxhaj ka shpërndarë në Facebook thirrjen për protestë, duke ftuar qytetarët që t'i bashkohen asaj.
“Në emër të popullit të Kosovës, në mbrojtje të UÇK-së. Bashkë në PROTESTË GJITHPOPULLORE! Shpërndaje te familja dhe miqtë!”, ka shkruar Hoxhaj.
Protesta është thirrur për të premten, më 18 shtator, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas aktgjykimit të një dite më parë të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Hoxhaj, mik dhe bashkëpunëtor shumëvjeçar i ish-krerëve të UÇK-së, ishte të mërkurën në Hagë dhe e ndoqi nga afër shpalljen e aktgjykimit.
Protestën e mbështetë edhe djali i ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi.
Organizatat e dala nga lufta kanë deklaruar se protesta organizohet në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së dhe në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Special.