Nëna Rukë shpërtheu në lot pas verdiktit ndaj katërshes së UÇK-së, thotë Anita Haradinaj
Rukë Haradinaj, nëna e dëshmorëve Shkëlzen e Luan Haradinaj, shpërtheu në lot pasi e dëgjoi verdiktin dënues të trupit gjykues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, rrëfeu sot gazetarja Anita Haradinaj.
Anita, bashkëshortja e Ramush Haradinajt, tregoi sot se e përcolli seancën e djeshme të Gjykatës Speciale bashkë me vjehrrën e saj, nënën e dëshmorëve, Nënën Rukë.
“Unë e përcolla dje seancën bashkë me Nanën Rukë, ajo filloi të qajë. Iu ngrit tensioni shumë dhe aty i thash ty të kanë vdekë gjithë ata djemë – sepse ajo jo veç djemve të vet, por të gjithë ushtarëve të UÇK-së u thotë djem të mi – i thash s’ke çka me bo”, tha ajo.
“Aty është gjykuar e gjithë lufta, jo vetëm ata katër individë”, vazhdoi Anita Haradinaj në një deklaratë në Klan Kosova.
Anita Haradinaj foli edhe për vështirësitë me të cilat ajo ishte përballur gjatë kohës kur ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ishte mbajtur në paraburgim në Hagë, ku ishte gjykuar për krime lufte. Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm në përfundim të procesit dhe ishte liruar.