OVL UÇK: Nesër me fillim në orën 12:00, protestë gjithëpopullore

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore nesër në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Gazmend Syla, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar ta vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me atë që ka ndodhur gjatë viteve 1998-1999.

“Dje dhe sot u ul lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të padrejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje”, deklaroi Syla.

Ai bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin hapa të tjerë, përfshirë krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme që do të përfshinte edhe shqiptarët jashtë Kosovës.

“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë. Po ashtu do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim”, tha ai.

Syla njoftoi gjithashtu se organizatat e dala nga lufta kanë marrë vendim për të organizuar një protestë gjithëpopullore.

“Po ashtu t’ju bëjmë me dije se organizatat e dala nga lufta sot në takimin që mbajtëm pak më herët me këshillin drejtues morëm vendim që të thërrasim protestë gjithëpopullore nesër në ora 12:00 në sheshin Skënderbeu. Po ashtu në ora 16:30 sot, OVL e UÇK-së së bashku me disa shoqata të tjera të familjeve të dëshmorëve dhe shoqatën e invalidëve do të bëjmë prezantimin e kësaj platforme që e fola më herët, ku ju ftojmë që të jeni prezentë edhe ju, pra do t’i bashkëngjitemi protestës dhe thirrjes nga studentët që janë sot, do të jemi edhe ne bashkë me ta në ora 16:30”, tha Syla.

Ai u shpreh se vendimi i fundit nuk është i vetmi rast që ka prekur ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Ju e dini, nuk është vendimi i padrejtë vetëm ky i djeshmi, bashkëluftëtarët tanë, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bukur gjatë kohës nën goditjet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi Syla. /EO