Gazeta gjermane FAZ ngre pikëpyetje për proporcionalitetin e dënimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Me përpjekjen për të identifikuar vetëm përgjegjësi individuale të katër ish-krerëve të UÇK-së, të akuzuar për krime gjatë luftës në Kosovë, Specialja u përpoq të shmangte hijet e një gjykimi të vetë luftës për pavarësi.
Aktgjykimi i përcjellë një ditë më parë mori në mënyrë të veçantë vëmendjen e mediave gjermane.
Gazeta e njohur Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) nuk e mohon që vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë si të mbështetura në prova.
Megjithatë, autori i shkrimit, Michael Martens, ngre pikëpyetje lidhur me proporcionalitetin e dënimeve, veçanërisht kur krahasohen me ndëshkimin e dhënë kriminelëve serbë të luftës.
Duke iu referuar procesit të apelimit, ai shkruan se duke pasur parasysh provat e paraqitura, të paktën sipas njohurive që ekzistojnë aktualisht, duket pak e mundshme që për Thacin ai “të përfundojë me shpallje të pafajësisë”. Por nëse dënimi me 25 vjet burg i dhënë për të qëndron në një raport të arsyeshëm me dënimet e dhëna ndaj kriminelëve serbë të luftës, kjo mbetet një çështje që të paktën në dritën e historisë, mund të vihet me të drejtë në pikëpyetje, thekson autori.
“Vendimi nuk duhet të çojë në shtrembërimin e përmasave historike të ngjarjeve në Kosovë në vitin 1999. Konflikti u nxit nga politika serbomadhe e sundimtarit të atëhershëm serb, Slobodan Millosheviq, i cili vdiq në vitin 2006. Forcat serbe të sigurisë kanë kryer krime shumë më të mëdha sesa ato për të cilat akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Viktimat nuk duhet të shndërrohen automatikisht në autorë krimesh”, theksohet në shkrim.
Martensi shton sidoqoftë se gjykata veproi drejt kur theksoi se në Hagë nuk po gjykohen shqiptarët e Kosovës si popull, as UÇK-ja në tërësi dhe as lufta e saj për pavarësi.