“Kjo është drejtësi e korruptuar në favor të Serbisë” - bashkëshortja e Jakup Krasniqit tregon bisedën me të pas dënimit
Një ditë më parë në Dhomat e Specializuara në Hagë Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burg për krime lufte.
Bashkëshortja e tij, Sevdije Krasniqi, ka folur ekskluzivisht për edicionin e lajmeve të Top Channel, ku tregon se çfarë i ka thënë lideri i UÇK-së familjes së tij.
“Jakupi më tha se ndihet mirë, sepse nuk ka kryer asnjë nga veprat që akuzohet. Tha se nuk i ka bërë keq askujt dhe nuk donte t’i bënte keq as vetes. Avokatët e të akuzuarve kanë paralajmëruar se do të bëjnë apelimin, megjithëse nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, nuk besojnë shumë. U kërkoj të gjithë shqiptarëve të bashkohen dhe ta refuzojnë këtë gjykatë”, u shpreh bashkëshortja e Krasniqit.
Ndërkohë, gazetarja Kristi Gongo ka lexuar edhe mesazhin që ia dërgoi Jakup Krasniqi familjes së tij pas dënimit të dhënë nga Haga.
“S’ka njeri në botë që i kam bërë keq. S’dua t’i bëj keq as vetes. Kjo është një drejtësi e korruptuar në favor të Serbisë. Dënimin e kam marrë nga gënjeshtrat e Serbisë”, ishte mesazhi i Krasniqit.