Çitaku pas vendimit: Të veprojmë sa më parë e të mbrojmë historinë e Kosovës

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ajo ka thënë se interpretimet se vendimi nuk do të ketë ndikim në mënyrën sesi trajtohet historia e luftës së Kosovës janë të gabuara dhe se pasojat e këtij vendimi do të shihen pas një kohe.

“Edhe një herë, ta kemi krejt të qartë: dje UÇK-ja u shpall ndërmarrje e përbashkët kriminale, në emër të popullit. Kaq e thjeshtë dhe kaq e rëndë është.

Nuk ka akuza individuale për veprimet konkrete të secilit prej tyre. Verdikti është ndërtuar mbi një narrativë kolektive, e cila e kriminalizon vetë luftën”, thuhet në reagimin e saj.

Çitaku ka kërkuar nga institucionet që të veprojnë sa më shpejt dhe të kundërshtohet ky vendim.

“Prandaj tani nuk kemi luksin të rrimë e të presim që koha t’i rregullojë gjërat vetë.

Është detyra jonë, si shtet dhe si institucione, të reagojmë shpejt, seriozisht dhe institucionalisht.

Sepse historia nuk mbrohet vetëm duke thënë se nuk mund të ndryshohet. Historia mbrohet duke vepruar kur dikush përpiqet ta rishkruajë.

Nuk ka kohë për dorëzim”, thekson ndër të tjera./ Zëri