Tahiri: Lufta e UÇK-së ishte mbrojtje e popullit, kjo padrejtësi duhet të korrigjohet
Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe me karakter politik.
Tahiri ka thënë se UÇK-ja nuk luftoi vetëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe kundër dhunës, dëbimit dhe përpjekjeve për zhdukjen e popullit shqiptar nga Kosova.
“UÇK-ja luftoi kundër gjenocidit, në një kohë kur tragjedia e Bosnjës ishte ende e freskët. Injorimi i këtij konteksti dëshmon se vendimi është politik dhe i padrejtë, jo akt drejtësie”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se lufta e UÇK-së përbën një kapitull të lavdishëm të historisë së Kosovës dhe një përpjekje për mbrojtjen e popullit, dinjitetit dhe lirisë.
“Për ne, lufta e UÇK-së përfaqëson një kapitull të lavdishëm të historisë sonë dhe një përpjekje të drejtë për mbrojtjen e popullit, dinjitetit dhe lirisë së Kosovës. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta zhbëjë këtë të vërtetë historike dhe sakrificën e mijëra njerëzve”, është shprehur ai.
Në reagimin e tij, Tahiri ka deklaruar gjithashtu se do të mbështesë çdo iniciativë që synon lirimin e liderëve të UÇK-së dhe mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
“Do të jem gjithmonë në mbështetje të çdo iniciative që synon lirimin e liderëve të UÇK-së, mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe vendosjen e drejtësisë së plotë. Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet”, ka shkruar Tahiri, duke e përmbyllur reagimin me mesazhin: “Jo në emrin tim!”, ka shkruar ai.