Vendimi i Speciales, Destani bën apel për bashkim e bashkëpunim: Emri i UÇK-së është i lidhur me një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës

Filantropi Lazim Destani ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Destani është shprehur i zhgënjyer nga vendimi i Speciales, mirëpo shpreson se në apel, faktet dhe argumentet do të shqyrtohen me drejtësi dhe përgjegjësi.

“Është e vështirë të përshkruhet me fjalë ndjenja që kemi në një ditë si kjo. Emri i UÇK-së është i lidhur me një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës, me luftën për liri, me sakrificën dhe me shpresën që një ditë fëmijët tanë të rriteshin të lirë në vendin e tyre. Besojmë dhe shpresojmë se në procesin e apelit çdo fakt, argument dhe rrethanë do të shqyrtohet me drejtësi dhe përgjegjësi të plotë”, ka shkruar Destani ndër të tjerash.

Duke e parë këtë vendim të Speciales, Destani u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që të bashkohen dhë t’i lënë mënjanë përplasjet e interesat partiake.

“Sot dua të bëj një apel që shkon përtej çdo partie dhe çdo dallimi politik. Kosova sot ka nevojë për bashkim. U bëj thirrje të gjitha forcave politike që, të paktën në momente të këtilla, t’i lënë mënjanë përplasjet dhe interesat partiake dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjet që prekin vendin. Dhe kur është në pyetje Kosova, duhet të dimë të qëndrojmë bashkë”, është shprehur Destani.

Reagimi i plotë i Destanit, pa ndërhyrje:

Sot jam thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.

Është e vështirë të përshkruhet me fjalë ndjenja që kemi në një ditë si kjo. Emri i UÇK-së është i lidhur me një periudhë vendimtare të historisë së Kosovës, me luftën për liri, me sakrificën dhe me shpresën që një ditë fëmijët tanë të rriteshin të lirë në vendin e tyre.

Besojmë dhe shpresojmë se në procesin e apelit çdo fakt, argument dhe rrethanë do të shqyrtohet me drejtësi dhe përgjegjësi të plotë.

Sot dua të bëj një apel që shkon përtej çdo partie dhe çdo dallimi politik.

Kosova sot ka nevojë për bashkim.

U bëj thirrje të gjitha forcave politike që, të paktën në momente të këtilla, t’i lënë mënjanë përplasjet dhe interesat partiake dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjet që prekin vendin.

Dhe kur është në pyetje Kosova, duhet të dimë të qëndrojmë bashkë. /Zëri