Detajet e verdiktit për ish-krerët e UÇK-së: Çka konstatoi trupi gjykues?

Mbi 41 muaj pas nisjes së procesit gjyqësor, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, më 16 shtator i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve, dhe vlerësimit të gati 5.500 provave materiale, ata u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

Në anën tjetër, të katërt u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.

Të pafajshëm u shpallën edhe për një numër incidentesh specifike që ishin listuar në aktakuzë, brenda akuzave për krime lufte.

Çfarë u konstatua për akuzat për krime lufte?

Sipas trupit gjykues, midis prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, anëtarë të UÇK-së privuan arbitrarisht nga liria së paku 385 persona që i akuzonin se ishin “kolaboracionistë”, “spiunë” apo “tradhtarë”.

Në shumicën e rasteve, tha trupi gjykues të mërkurën, nuk kishte prova se këta persona ishin përfshirë në veprimtari kriminale, luftime apo veprimtari që do të përbënin shqetësim legjitim sigurie.

Të ndaluarit nuk u informuan zyrtarisht për arsyet e ndalimit, nuk dolën pa vonesë para një gjyqtari ose autoriteti tjetër kompetent, dhe nuk iu dha mundësia të kundërshtonin ligjshmërinë e ndalimit.

Në lidhje me trajtimin e të ndaluarve, trupi gjykues konstatoi se të ndaluarit mbaheshin në kushte të rënda, në dhoma të mbipopulluara, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, pa kujdes shëndetësor dhe, në disa raste, të lidhur me zinxhirë ose pranga.

Gjykata konstatoi, gjithashtu, se shumë prej tyre ishin rrahur me shkelma, qyta të pushkëve, shkopinj, shufra metalike dhe mjete të tjera. Disa thuhet se u detyruan të shikonin keqtrajtimin e të ndaluarve të tjerë, ndërsa disa iu nënshtruan ekzekutimeve të simuluara dhe kërcënimeve për vrasje.

Në 49 raste, Gjykata konstatoi trajtim mizor, ndërsa 303 persona tha se ishin torturuar.

Në rastin e vrasjeve, trupi gjykues konstatoi se së paku 96 persona ishin vrarë nga anëtarë të UÇK-së në 12 komuna të Kosovës dhe në një lokacion në Shqipërinë veriore. Viktimat, sipas Gjykatës, ishin vrarë me armë zjarri ose kishin vdekur si pasojë e rrahjeve brutale.

Shfajësimi për krime kundër njerëzimit

Ndryshe nga krimet e luftës, për të cilat trupi gjykues gjeti përgjegjësi penale të të akuzuarve, për krimet kundër njerëzimit ai konstatoi se nuk ishin përmbushur të gjitha kushtet që kërkon ligji.

Gjykata konstatoi se anëtarë të UÇK-së kishin kryer akte dhune dhe keqtrajtimi ndaj civilëve në Kosovë dhe në disa zona të Shqipërisë veriore. Sipas saj, këto akte ishin pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik.

Por, për t'u cilësuar juridikisht si krime kundër njerëzimit, nuk mjafton që aktet të jenë të shumta ose të organizuara. Duhet të provohet edhe se sulmi ishte i drejtuar kundër një popullate civile. Pra, se civilët ishin shënjestër, si pjesë e një grupi të caktuar dhe jo vetëm individë të veçantë.

Pikërisht këtë element, sipas trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk arriti ta provonte përtej dyshimit të arsyeshëm. Gjykata vlerësoi se viktimat ishin përzgjedhur kryesisht për arsye individuale – për shembull, për shkak të identitetit, veprimeve ose lidhjeve të tyre të pretenduara – dhe jo sepse i përkisnin një popullate civile që ishte shënjestruar në tërësi.

Prandaj, edhe pse Gjykata konstatoi një sulm të përhapur ose sistematik ndaj civilëve, ajo nuk gjeti të provuar elementin e nevojshëm që ai sulm të përbënte krime kundër njerëzimit. Si rrjedhojë, të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për gjashtë pikat e tilla.

Gjykata konstatoi "qëllim të përbashkët kriminal"

Trupi gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, së bashku me persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, kishin si qëllim pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi një Kosovë të pavarur.

Sipas gjykatës, për realizimin e këtyre objektivave, ata kishin një qëndrim të përbashkët se disa persona që konsideroheshin pengesë për qëllimet e tyre duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Këta persona thuhet se përfshinin, ndër të tjera, anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjykata konstatoi se ky qëllim i përbashkët ishte zbatuar përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, si dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që në aktgjykim quhet “luftë speciale”.

Trupi gjykues tha se krimet nuk ishin rezultat vetëm i hakmarrjeve personale, bandave apo veprimeve të izoluara, por ishin pjesë e një plani që, sipas tij, ishte hartuar nga të akuzuarit dhe persona të tjerë dhe ishte zbatuar gjatë konfliktit.

Gjykata gjithashtu listoi një numër figurave të tjera të njohura të UÇK-së – Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci – për të cilat tha se ishin në dijeni për këtë qëllim të përbashkët kriminal dhe se kishin rënë dakord me të, si dhe kishin marrë pjesë në realizimin e tij.

Megjithatë, aktgjykimi thekson se ndaj këtyre shtatë personave nuk është bërë konstatim fajësie në këtë çështje, dhe se ata vazhdojnë të kenë të drejtën të prezumohen të pafajshëm.

Si e përcaktoi Gjykata përgjegjësinë e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit?

Gjykata konstatoi se katër të akuzuarit kishin dhënë kontribut të qenësishëm në zbatimin e këtij qëllimi të përbashkët dhe, mbi këtë bazë, i gjeti penalisht përgjegjës për katër krimet e luftës.

Në rastin e Thaçit, gjykata tha se ai kishte luajtur rol kyç në formulimin dhe zbatimin e qëllimit të përbashkët, ndërsa konstatoi se kishte marrë pjesë edhe personalisht në disa prej krimeve, përfshirë rastin e Behajdin Allaqit.

Rasti i Behajdin Allaqit

Për Veselin, gjykata veçoi pozitën e tij si shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, organ që, sipas konstatimeve, kishte përgjegjësi për identifikimin, vëzhgimin dhe neutralizimin e personave të dyshuar si “kolaboracionistë”. Gjykata tha se ai nuk ndërmori hapa për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e krimeve, megjithëse kishte dijeni për to.

Për Selimin, trupi gjykues konstatoi se ai kishte kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët. Gjykata vuri në dukje se pozita e tij si inspektor i përgjithshëm i UÇK-së i jepte më pak pushtet mbi anëtarët e tjerë të organizatës, krahasuar me disa prej të akuzuarve të tjerë.

Ndërsa për Krasniqin, gjykata konstatoi se ai kishte përdorur pozitën, rolin si udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.

Çfarë tani?

Aktgjykimi mund të apelohet dhe avokatët e katër të dënuarve kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë atë në shkallën e apelit.

Avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e cilësoi aktgjykimin si “tallje me drejtësinë” dhe tha se mbrojtja do të kërkojë rrëzimin e tij në apel.

Ai paralajmëroi se procesi i apelit mund të zgjasë me vite.