Rrëzohet helikopteri i lajmeve në Los Angeles, gazetarja dhe piloti mes tre personave që humbën jetën

Fotogazetarja Eliana Moreno dhe piloti George Marciniw janë identifikuar si dy nga tre personat që humbën jetën pasi helikopteri i NBC Los Angeles u rrëzua në periferi të qytetit; lajmi është konfirmuar nga vetë televizioni.

NBC Los Angeles njoftoi se helikopteri i tyre, "NewsChopper4" – i cili shërbente edhe për stacionin Telemundo 52 – ndodhej në zonë të martën për të raportuar mbi një aksident fatal me autobus, ku humbën jetën dy persona.

Autoritetet e zjarrfikëseve bënë të ditur se në aksident humbi jetën edhe një këmbësor i paidentifikuar, ndërsa dy persona të tjerë u dërguan në spital, raporton BBC.

Kanë nisur të vijnë mesazhe ngushëllimi, përfshirë ato nga komuniteti i gazetarëve lokalë; të parët që reaguan ishin drejtuesit e emisioneve të stacionit, të cilët i cilësuan viktimat si "miq dhe kolegë të çmuar". Një redaktor i CBS u shpreh se ata janë "të shkatërruar emocionalisht".

"Komuniteti i pilotëve të helikopterëve është një grup i vogël njerëzish dhe është vërtet tronditëse të dish se kjo i ka ndodhur njërit prej tyre, miqve dhe kolegëve tanë në NBC4," tha Mike Rogers, redaktor i planifikimit të lajmeve në CBS Los Angeles.

Kryetarja e Bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, u shpreh se ishte "thellësisht e tronditur nga humbja e jetëve në Chatsworth mbrëmjen e sotme".

"Zemra ime është pranë familjeve dhe të dashurve të atyre që humbëm në përplasjen tragjike të autobusit dhe rrëzimin e helikopterit," shkroi ajo në platformën X, ndërsa Departamenti i Zjarrfikësve i Los Anxhelosit (LAFD) shprehu gjithashtu solidaritetin dhe lutjet e tij për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje.