“Vendimi në Hagë nuk është përfundimtar”, avokatët paralajmërojnë se vendimin do ta dërgojnë në Apel
Pas vendimit të shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, avokatët e Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit kanë shprehur pakënaqësi me mënyrën sesi është zhvilluar procesi dhe me vlerësimin e provave.
Avokati i Kadri Veselit ka deklaruar se mbrojtja do të shqyrtojë procedurat ligjore që mund të ndërmerren më tej, duke theksuar se, sipas tij, ka pasur mungesë të dëshmive dhe se nuk janë të kënaqur me mënyrën se si janë trajtuar provat.
Në të njëjtën linjë, avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka kundërshtuar ashpër vendimin, duke pretenduar se gjatë procesit është paraqitur një version i njëanshëm i historisë dhe se nuk janë marrë sa duhet parasysh dëshmitë e paraqitura nga ekipi mbrojtës.
Prosperi ka deklaruar se vendimi përbën, sipas tij, një ditë të keqe për Kosovën dhe ka kërkuar që procesi të shqyrtohet në detaje. Ai ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si janë trajtuar provat dhe dëshmitë e mbrojtjes.
Edhe avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si zhgënjyes.
Ajo ka thënë se synimi i mbrojtjes mbetet lirimi i Krasniqit teksa shtoi se procesi ende nuk ka përfunduar.
“Aktgjykimi tashmë na e ka bërë të qartë se disa prova ose nuk janë marrë parasysh, ose nuk u është dhënë pesha e duhur. Ne do të apelojmë aktgjykimin. Qëndrimi ynë është se i vetmi rezultat i këtij gjykimi duhet të jetë shpallja i pafajshëm e z. Jakup Krasniqi për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ajo.
Ndërsa, mbrojtja e Rexhep Selimit, e udhëhequr nga avokati Geoffrey Roberts, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Selimi u dënua me 13 vjet burgim.
Në një deklaratë të shkurtër për media, Roberts tha se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin, por theksoi se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë.
Edhe avokati Tomë Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se: “Vendimi i Gjykatës Speciale apelohet, s’do të thotë që është vendim përfundimtar”.
Ndryshe, ky nuk përbën vendimin përfundimtar të procesit gjyqësor. Mbrojtja ka në dispozicion rrugët ligjore të ankimit dhe vendimi mund të kundërshtohet para Gjykatës së Apelit, e cila mund ta shqyrtojë vendimin e shkallës së parë në përputhje me procedurat përkatëse.
Avokatët pritet që në vijim të përcaktojnë hapat ligjorë që do të ndërmarrin, ndërsa procesi mund të vazhdojë përmes procedurave të apelit.