Mexhiti dhe Kasami pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: Lufta çlirimtare në Kosovë, pjesa më e lavdishme e historisë

Dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, përmes postimeve në rrjetet social Facebook, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin u dënuan me burg ish-krerët e UÇK-së.

Mexhiti dhe Kasami thonë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe se ajo është pjesa më e lavdishme e historisë sonë kombëtare.

Postimi i plotë i Kasamit:

Shpreh keqardhje të thellë për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.Ky është një vendim i rëndë për katër njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës dhe që sot vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre. Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta çlirimtare në Kosovë është pjesa më e lavdishme e historisë sonë kombëtare. Presim që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë këtë vendim. Në këto momente, mendimet e mia janë me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me bashkëluftëtarët e tyre dhe me të gjithë ata që e përjetojnë këtë ditë me dhimbje. Historia e Kosovës është histori e një populli që luftoi për liri. Dhe kjo histori nuk rishkruhet.

Postimi i plotë i Izet Mexhiti:

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për çlirimin e popullit tonë. Procesi i padrejtë dhe kundërthënës ndaj komandantëve të UÇK-së në Hagë, duhet të përfundojë nesër dhe ne presim që të merret një vendim i drejtë që do të konfirmojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës. Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin; viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës.Liria e Kosovës u fitua me sakrificë, guxim dhe gjak. Emrin e lirisë sot e bartin me guxim e dinjitet liderët tanë që padrejtësisht ndodhen në Hagë. Momenti i së vërtetës po afron. Për ne, liria e Kosovës nuk është thjesht një fjalë, është amanet. Për lirinë, drejtësine, dinjitetin. Për Kosovën.