Dëshmorët e kombit – Tahir Sinani, Indrit Cara dhe Bylbyl Breçani në pulla postare
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare “Dëshmorët e Kombit – Tahir Sinani, Indrit Cara dhe Bylbyl Breçani”, kushtuar tre dëshmorëve të kombit, të cilët me guximin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre dhanë kontribut të çmuar në luftën për lirinë e Kosovës.
Tahir Sinani, i lindur në Tropojë më 1964, me përvojë ushtarake nga Shqipëria, ishte një nga komandantët më të shquar të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai shërbeu në TMK. Sinani mori pjesë edhe në luftimet në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, ku ra dëshmor më 29 korrik 2001, në afërsi të Gostivarit.
Indrit Cara, i lindur në Kavajë më 1971, me përgatitje ushtarake në Shqipëri, iu bashkua luftës çlirimtare në Kosovë. Ai ra dëshmor më 31 mars 1999, në zonën e Pashtrikut.
Bylbyl Breçani, i lindur në Tropojë më 1974, iu bashkua luftës çlirimtare në zonën e Koshares.
Ai ra dëshmor më 25 qershor 1999, gjatë një aksioni për tërheqjen e trupave të bashkëluftëtarëve të rënë në zonën e Koshares.
Pulla postare përbën një dëshmi të historisë, kulturës dhe identitetit të një vendi. Përmes këtij emisioni filatelik, kujtimi për Tahir Sinanin, Indrit Carën dhe Bylbyl Breçanin bëhet pjesë e trashëgimisë filatelike, duke përcjellë te brezat e sotëm dhe të ardhshëm vlerat e guximit, sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut.
Emisioni përfshin tri pulla postare dhe Zarfin e Ditës së Parë. Posta e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve, koleksionuesve dhe bizneseve që ta pasurojnë fondin e tyre filatelik me këtë emision, me qëllim të ruajtjes dhe përcjelljes së kujtesës historike dhe vlerave kombëtare. /Zëri