Bashkëvendësi i Rexhep Selimit: Presim vendim lirues, lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë

Nga vendlindja e Rexhep Selimit, në Açarevë, bashkëvendësi i tij, Sejdi Imeri, ka folur për figurën dhe kontributin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një prononcim për Klan Kosovën, Imeri tha se Rexhep Selimin e njeh që nga shkolla fillore dhe se ka qenë në dijeni për angazhimin e tij edhe gjatë luftës.

“Me Rexhep Selimin kam qenë në shkollë fillore. E njoh edhe gjatë luftës. Ka kontribuuar edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, derisa Kosova e ka shpallur Pavarësinë”, deklaroi Imeri.

Ai tha se pret një vendim lirues dhe shpreson që Selimi të kthehet te familja e tij.

“Sot presim vendimin lirues, që ai të lirohet dhe të kthehet tek familja e tij, së bashku me të gjithë luftëtarët, heronjtë e luftës dhe të paqes”, u shpreh Imeri.

Duke folur për luftën e UÇK-së, ai e cilësoi atë si “luftë të shenjtë”.

“Lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e shenjtë dhe nuk ka kush që e mohon”, tha Imeri.