Self: Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe partner strategjik i SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self ka kritikuar Serbinë për vazhdimin e një narrative të viktimizimit të bazuar në të kaluarën, duke përmendur si shembuj mosnjohjen e Kosovës dhe nderimet shtetërore për kriminelët e luftës.

Self tha se gjatë vizitës së tyre në rajon, një nga prioritetet ishte shqyrtimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kosova është një shtet i pavarur, demokratik dhe partner strategjik i SHBA-së”, tha Self, gjatë adresimit të tij para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Ai vlerësoi se pengimi i integrimit të Kosovës në NATO përbën pengesën më të madhe për stabilitetin në Ballkan.

“Është koha që katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën, ta pranojnë se Kosova është këtu për të qëndruar”, u shpreh kongresisti amerikan.

 Self ka thënë se ruajtja e stabilitetit në Ballkan është thelbësore për suksesin në të ardhmen.

“Pikërisht për këtë, këto vende të Ballkanit duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta kthyer faqen e së kaluarës. Kosova është këtu për të qëndruar dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në rajon”, tha ai.