Konjufca për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës: Jeta dhe vepra e saj do të mbeten të pashlyeshme

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-deputetes dhe mjekes, Flora Brovina.

Konjufca ka shprehur pikëllimin për vdekjen e Brovinës, duke vlerësuar lart kontributin e saj profesional dhe atdhetar, veçanërisht gjatë viteve të luftës në Kosovë.

“Mora me pikëllim lajmin për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka kujtuar se Brovina, e cila ishte mjeke me profesion dhe poete që në rini, e kishte vënë dijen dhe profesionin e saj në shërbim të qytetarëve gjatë periudhës më të rëndë për Kosovën.

“Flora Brovina e vuri dijen dhe profesionin e saj në shërbim të vendit në vitet më të rënda për Kosovën, duke ofruar kujdes e ndihmë mjekësore për gratë dhe fëmijët e prekur nga lufta dhe dhuna e regjimit serb”, ka deklaruar ai.

Konjufca ka përmendur edhe arrestimin dhe dënimin e Brovinës gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit.

“Për veprimtarinë e saj gjatë luftës, u arrestua dhe u dënua me 12 vjet burg nga regjimi i Millosheviqit, dhe u mbajt në burg rreth një vit e gjysmë”, thuhet në reagimin e tij.

Pas përfundimit të luftës, Brovina vazhdoi angazhimin e saj në politikë dhe në institucionet e Kosovës. Ajo shërbeu si deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës për gjashtë legjislatura.

Konjufca u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëveprimtarëve të saj.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina, të afërmve, miqve dhe bashkëveprimtarëve të saj. Jeta dhe vepra e Flora Brovinës do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e Kosovës”, ka shtuar ai.