Si e kishte votuar Shqipëria raportin e Dick Martyt në Këshillin e Evropës në vitin 2011?

Jemi më pak se 24 orë larg vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, të cilët për 6 vjet janë gjykuar në këtë gjykatë e cila u formua pas nje raporti të deputetit zviceran, Dick Marty i cili kerkonte hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, akuza të cilat shpejt u hodhën poshtë, por gjykata vazhdoi dhe ngriti akuza të reja ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Me 166 vota pro dhe vetëm 8 kundër, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi në 25 janar 2011 rezolutën me të cilën kërkonte hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran, Dick Marty.

Shqipëria u përfaqësua në këtë asamble nga tre deputetë. Por si e gjykuan ata raportin e Marty-t? Shpëtim Idrizi, përfaqësues i PDIU ishte një nga 8 personat që votuan kundër.

“Raportuesi nuk është prokurori, por ai nuk është as Dan Brown, ndaj do të them diçka më të arsyeshme. Në raportin e tij, nuk gjendet asnjë emër i një personi të vdekur, organet e të cilit janë hequr. Le të themi se dëshmitarët që janë gjallë janë të frikësuar, po të vdekurit? Përse mungojnë në këtë raport?”, tha Idrizi.

Edhe përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri votoi kundër raportit.

“Fatkeqësisht, duhet të pranojmë se ky raport vetëm ka shtuar më shumë probleme politike dhe mister në rajon, dhe nuk ka siguruar asgjë të re dhe me rëndësi. Nuk ka prova të përshtatshme dhe në shumë raste, duket si një opinion politik sesa një raport hetimor.”

Përfaqësuesi i PD, Ilir Rusmali ishte i vetmi anëtar i delegacionit shqiptar që votoi pro raportit.

“Çfarëdo qofshin pretendimet, ato nuk duhen përdorur për të nxjerrë konkluzione të nxituara ose të pabaza. Ato nuk duhet t’i hapin rrugë dënimit kolektiv grupeve specifike, forcave politike, apo edhe kombeve. Në këtë aspekt, ftoj raportuesin dhe anëtarët e nderuar të votojnë me mua”, pati deklaruar Rusmali.