S’ka vendim për anulim të procesit mësimor për nesër
Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se nuk ka vendim për anulimin e procesit mësimor për nesër, kur pritet të merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë për “Zërin” se deri tani nuk ka asnjë vendim për anulim të procesit mësimor, ose kërkesë nga Policia që të shqyrtohet një gjë e tillë.
“Zëri” u interesua të marrë një konfirmim nga Komuna e Prishtinës, pasi Ambasada Amerikane në Prishtinë u bëri thirrje të hënën shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar demonstrata për nesër.
Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada, duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.
Ndërkohë më vonë të hënë, edhe Policia e Kosovës doli me njoftim, ku tha se ka zhvilluar takim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën Amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku është prezantuar një plan dhe angazhimet e Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin. /Zëri