Haxhiu për vdekjen e Flora Brovinës: Kosova humbi një grua që ia kushtoi jetën vendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vdekjes së ish-deputetes dhe veprimtares për të drejtat e njeriut, Flora Brovina.

Haxhiu e ka përshkruar Brovinën si një grua që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe Kosovës, duke theksuar angazhimin e saj si mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut.

“Kosova sot humbi Flora Brovinën, gruan që ia kushtoi gjithë jetën njerëzve dhe vendit të vet”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka kujtuar edhe periudhën e luftës, kur Brovina ishte arrestuar nga autoritetet serbe dhe ishte dënuar me 12 vjet burg në Serbi.

“Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq. Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, për lirimin e Brovinës ishin angazhuar organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës.

Haxhiu e ka cilësuar Brovinën edhe si zë të veçantë në letërsinë shqipe, ndërsa ka përmendur kontributin e saj pas luftës në jetën institucionale të Kosovës.

Flora Brovina për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Në fund, Haxhiu ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Brovinës.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka përfunduar ajo. /Zëri