Shipkovica e Tetovës në mbështetje të krerëve të UÇK-së në Hagë, ndizet “Flakadani i Lirisë”

Në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, mbrëmë në Shipkovicë u ndez “Flakadani i Lirisë”, një aktivitet përkujtimor dhe solidarizues me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Aktiviteti u organizua nga Këshilli Organizativ i Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në sheshin e UÇK-së në Shipkovicë, ku morën pjesë qytetarë, miq dhe veteranë të luftës.

Në këtë tubim u përcollën mesazhe mbështetjeje për krerët e UÇK-së dhe u bë thirrje për drejtësi e trajtim të drejtë të procesit gjyqësor.

Të pranishmit që morën fjalën theksuan rëndësinë e solidaritetit me ish-drejtuesit dhe pjesëtarët e UÇK-së, duke kërkuar që në proceset në Hagë të mbizotërojë drejtësia dhe të respektohen të drejtat e të akuzuarve.

Nga folësit u përcoll edhe mesazhi se sakrifica e atyre që luftuan për lirinë e shqiptarëve duhet të kujtohet dhe të nderohet.

“Flakadani i Lirisë” u shoqërua me flamuj kuqezi dhe atmosferë simbolike, ndërsa organizatorët ftuan qytetarët, miqtë dhe veteranët e luftës që t’i bashkohen këtij manifestimi në shenjë mbështetjeje për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Aktiviteti në Shipkovicë u përmbyll me thirrjen për unitet dhe vazhdimin e mbështetjes deri në përfundimin e proceseve gjyqësore.