Arrestohet një 34-vjeçar i kërkuar për kanosje në Kaçanik, i konfiskohet edhe arma
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar për kanosje dhe ka konfiskuar një armë zjarri gjatë një operacioni në fshatin Dubravë të Kaçanikut.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, operacioni është zhvilluar më 14 shtator, rreth orës 19:30, në kuadër të një plani operativ për kapjen e personit të kërkuar. Në operacion morën pjesë zyrtarë policorë nga Kaçaniku dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë.
Gjatë operacionit është arrestuar V.Q., 34 vjeç.
Policia njofton se gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë gjuetie, së bashku me tre fishekë. Sipas policisë, arma dyshohet se lidhet me një videoincizim të siguruar në kuadër të një rasti të mëhershëm të kanosjes.
Me vendim të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.
Rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente. /Zëri