Trumpi shqyrton publikimin e dokumenteve të 11 Shtatorit pas kërkesës së familjeve të viktimave

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të shqyrtojë kërkesën e familjeve të viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit për publikimin e dokumenteve të klasifikuara që mund të hedhin më shumë dritë mbi rolin e dyshuar të Arabisë Saudite në sulmet terroriste të 25 viteve më parë.

Disa prej familjeve të viktimave kanë pretenduar prej vitesh se një grup klerikësh ekstremistë në Arabinë Saudite kishte fituar ndikim brenda qeverisë saudite dhe se kishte ndihmuar rrëmbyesit e avionëve.

Nga 19 autorët e sulmeve të 11 Shtatorit, 15 ishin shtetas sauditë, ndërsa qeveria e Arabisë Saudite ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sulme, transmeton Telegrafi.

Familjet i kanë kërkuar Trumpit që të deklasifikojë dhe të bëjë publike dokumentet përkatëse, të cilat sipas tyre mund të ndihmojnë në zbardhjen e lidhjeve dhe përgjegjësive të mundshme.

I pyetur për këtë çështje të dielën, gjatë vizitës së tij në Irlandë, Trump tha se do ta shqyrtojë kërkesën sapo të kthehet në Uashington.

“Do ta shikoj kur të kthehem. E di që ma kërkuan të premten”, deklaroi Trump pak para se të hipte në Air Force One për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.

Familjarët e viktimave të 11 Shtatorit kanë zhvilluar prej vitesh një betejë ligjore kundër Arabisë Saudite.

Terry Strada, e cila humbi bashkëshortin e saj, Tom, në sulmet e 11 Shtatorit, i bëri thirrje Trumpit gjatë një ceremonie përkujtimore në Nju Jork të premten që “t’u thotë sauditëve të ndalojnë së gënjyeri”.

Strada, një prej familjarëve që lexoi emrat e viktimave gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të sulmeve, kritikoi presidentët amerikanë për atë që e konsideroi mbrojtje të Arabisë Saudite në vend të mbështetjes ndaj familjeve të viktimave.

“Presidentët amerikanë kanë zgjedhur të mbrojnë sauditët në vend që të qëndrojnë përkrah familjeve të 11 Shtatorit”, tha ajo.

Ajo shtoi se administrata aktuale duhet “të qëndrojë me familjet, të qëndrojë me të mbijetuarit”.