Osmani për Sejdiun: Gatishmëria për t’i shërbyer vendit dhe dinjiteti i tij meritojnë falënderim

Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.

Osmani ka vlerësuar gatishmërinë e Sejdiut për t’i shërbyer vendit, duke thënë se ai e ka përballuar me dinjitet një proces në të cilin, sipas saj, “personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”.

“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka theksuar se proceset politike përfundojnë, por mënyra se si një person sillet në momente të vështira mbetet.

“Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet”, ka deklaruar presidentja.

Osmani i ka shprehur falënderim Sejdiut për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për qëndrimin e tij gjatë gjithë procesit.

“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar ajo.