Bashkëfshatarja e Hashim Thaçit rrëfen emocionet kur ai u bë pjesë e udhëheqjes së UÇK-së
Bashkëfshatarja e Hashim Thaçit, Elhame Hetemi ka rrëfyer emocionet e saj duke kujtuar momentet e para të organizim dhe mobilizimit popullor gjatë fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka folur për këto momente në T7.
“Emocionet janë të veçanta. Duke u rikthyer në retroaktivë dhe duke menduar për gjithë procesin e fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtoj momentet më të rëndësishme të organizimit dhe mobilizimit popullor, bashkë me ata njerëz, ata djem të rinj që morën barrën e kombit shqiptar për t’u çliruar nga pushtuesit serbë”, ka thënë ajo.
Ajo ka kujtuar edhe momentin kur kishte dëgjuar se Thaçi ishte në krye apo bashkëorganizator i UÇK-së.
“Kur kujtoj momentet e para kur kam dëgjuar se është në krye, ose bashkëorganizator i UÇK-së, është njëri nga bashkëfshatarët e mi. Pastaj kujtoj edhe ushtarët e parë që u mobilizuan në fshatin Burojë, nismën time për t’i ndihmuar dhe për t’iu bashkuar atyre djemve për çlirimin e vendit”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se njohja e afërt me këta persona dhe vlerat e tyre i kanë bërë emocionet e saj edhe më të thella.
“Duke i njohur nga afër, duke i njohur vlerat e tyre, edukatën dhe kulturën e tyre, emocionet e mia janë akoma më të thella dhe të arsyeshme”, është shprehur ajo.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ajo ka deklaruar se beson se bëhet fjalë për një proces të montuar.
“Lirisht dhe bindshëm mund të them se është një proces i montuar dhe i organizuar nga ata që nuk e kanë dashur lirinë e Kosovës dhe nuk e kanë dashur lirinë e popullit shqiptar në përgjithësi”, ka thënë ajo.