Aktakuzë ndaj katër personave dhe tri kompanive për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave dhe tre personave juridikë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Sipas Prokurorisë, E.Sh. dhe B.K. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa A.S. dhe B.S., së bashku me kompanitë “K.H.” Sh.P.K., “I.” Sh.P.K. dhe “H.S.” Sh.P.K., dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.Rasti, sipas aktakuzës, lidhet me dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, të lidhura gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Në lidhje me kontratën e vitit 2022, E.Sh., në cilësinë e drejtorit për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, si dhe B.K., në cilësinë e zyrtarit për menaxhimin e projekteve dhe menaxherit të kontratës, dyshohet se gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes kanë pranuar dhe certifikuar punime si të realizuara, ndonëse verifikimet në terren, sipas Prokurorisë, kanë treguar se ato nuk ishin kryer në përputhje me kontratën.
Po ashtu, sipas aktakuzës, ndryshimet në pozicionet dhe lokacionet e punimeve nuk janë proceduar në pajtim me rregullat e prokurimit publik.
Prokuroria pretendon se këto veprime i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 8,301.78 eurosh, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm në të njëjtën shumë.
Për kontratën e vitit 2021, B.K. dhe E.Sh., në cilësitë e tyre zyrtare, dyshohet se nuk i kanë përmbushur detyrat gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës.
Sipas aktakuzës, ata kanë pranuar si të përfunduara punime, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishin realizuar sipas kontratës, ndërsa ndryshimet kontraktuale nuk ishin proceduar në pajtim me rregullat e prokurimit publik.
Sipas Prokurorisë, këto veprime i kanë sjellë operatorit ekonomik përfitim prej 1,661.20 eurosh dhe i kanë shkaktuar Komunës së Suharekës dëm në të njëjtën shumë.Në anën tjetër, A.S. dhe personi juridik “H.S.” Sh.P.K., lidhur me kontratën e vitit 2021, dyshohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e kontraktuara dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera, duke i shkaktuar, sipas aktakuzës, dëm prej 1,661.20 eurosh Komunës së Suharekës.
Ndërkaq, B.S. dhe personat juridikë “I.” Sh.P.K. dhe “K.H.” Sh.P.K., lidhur me kontratën e vitit 2022, dyshohen se nuk i kanë realizuar punimet në përputhje me kontratën dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera.
Sipas aktakuzës, në këtë rast dëmi i shkaktuar Komunës së Suharekës kap vlerën prej 8,301.78 eurosh.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Gjithashtu, për personat zyrtarë është propozuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, ndërsa për personat juridikë është propozuar dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë”, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.