Musliu: Nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së, do të ketë pasoja të mëdha

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se një vendim për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të kishte pasoja të mëdha jo vetëm për Kosovën, por edhe për faktorët ndërkombëtarë.

Musliu tha në Klan Kosova se pret që më 16 shtator të ketë vendim për lirimin e tyre, duke theksuar se çdo vendim tjetër do të sillte pasoja jashtëzakonisht të mëdha zinxhirore.

“Çdo mendim tjetër përveç lirimit pa asnjë kusht të pafajshëm ka me pas pasoja jashtëzakonisht të mëdha zinxhirore. Jo vetëm për Kosovën, por edhe për ndërkombëtarët”, tha Musliu.

Ajo deklaroi se në rast të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, edhe NATO-ja do të vihej përballë përgjegjësisë për mbështetjen që i kishte dhënë luftës së Kosovës.

“Në fund të ditës edhe NATO-ja ka me dhënë përgjegjësi pse e ka përkrahur një organizatë të tillë dhe një shtet të tillë”, deklaroi Musliu.