“Thaçi 2”, vazhdon dita e tretë e deklaratave përfundimtare në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë edhe sot seanca për paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar dënim me gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Kuçin. Këto kërkesa janë kundërshtuar nga ekipet e Mbrojtjes.

Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, deklaroi se nuk ka ekzistuar ndonjë grup që ka tentuar të pengojë drejtësinë dhe se provat e paraqitura nga Prokuroria për të mbështetur akuzat janë të pabazuara. Sipas mbrojtjes, veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë pasur ndikim në procesin gjyqësor, duke theksuar se ai akuzohet për tentativë ndërhyrjeje dhe jo për veprën penale të kryer.

Të gjitha ekipet e Mbrojtjes kanë përfunduar parashtrimet e tyre dhe i kanë kërkuar Gjykatësit të Vetëm që klientët e tyre t’i shpallë të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Seanca pritet të vazhdojë sot në orën 10:30, sipas kohës sonë lokale, me përgjigjet dhe komentet e palëve. /Klankosova