Dita e 106-të e protestës për Zvërnecin në Tiranë

Ka vijuar para Kryeministrisë protesta e qytetarëve kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec dhe qeverisë, e cila sot shënon ditën e 106-të.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime dhe përsëritën kërkesat e tyre politike, mes tyre dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.

Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje si “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi” dhe “Rama jep dorëheqjen”.

Një prej protestuesve deklaroi se vijimi i protestës pas 106 ditësh tregon, sipas tij, se lëvizja nuk është shuar.

“Askush nuk e ka menduar që edhe pas 106 ditësh do të ishim me mijëra në sheshin para Kryeministrisë dhe përballë Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar”, u shpreh ai.

Protestuesi akuzoi qeverinë se përdor, sipas tij, “pushtetin ekonomik të oligarkisë, patronazhistët, administratën dhe bandat” për të ruajtur pushtetin.

Protesta nisi më 31 maj, fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit turistik të planifikuar në Zvërnec. Në vijim, organizatorët kanë artikuluar edhe kërkesa më të gjera politike dhe institucionale, duke ngritur shqetësime për korrupsionin, punësimin dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Pas fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke përsëritur thirrjet për bashkim dhe vijimin e protestës deri në plotësimin e kërkesave të tyre./atsh