Prishtina mbulohet me kamera, ekspertët kërkojnë prova për rritjen e sigurisë
Prishtina po shndërrohet në një qytet plotësisht të monitoruar. Paralelisht me nisjen e sistemit të ri të vëzhgimit nga Policia e Kosovës, komuna ka gati planin për fazën e dytë, të paktën 40 lokacione të reja do të mbulohen së shpejti me kamera të sigurisë. Por, përtej premtimeve për rritje të sigurisë, ekspertët kërkojnë matje konkrete të rezultateve, ndërkohë që janë ende skeptikë për efektin e tyre real në terren.Kamerat e sigurisë të vendosura në kryeqytet synojnë rritjen e sigurisë në komunikacion dhe monitorimin e shkeljeve në trafik. Por ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se për të parë ndikimin e kamerave të sigurisë, në komunikacion në kryeqytet, nevojitet analizë e detajuar.
“Vendosja e kamerave, në kryeqytet, do ta rrisë nivelin e sigurisë në komunikacion rrugor, ne qofte se do ta bëjmë një analizë të thukët pas vendosjes të kamerave, me e pa se sa kanë ndiku që këto kamera, të ndikojnë në sigurinë e komunikacionit”, tha Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.
Drejtori për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës bën të ditur se nga mesi i muajit tetor, shpresojnë se do të inaugurohet edhe qendra e re e monitorimit.
“Do të jetë një qendër moderne, ku do të vendosen monitoruesit, vezhguesit e kamerave, bashkë me njesinë e trafikut. Dhe do të kemi së paku 10 zyrtarë policorë që 24/7 do të monitorojnë sistemin e kamerave do të bëjnë realisht rritjen e sigurisë në kryeqytet", thaksoi Lulzim Fushtica, drejtor për siguri dhe emergjenca në Prishtinë.
Sa i përket aspektit të mbrojtjes së të dhënave personale, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi thonë se nëse ka bazë ligjore një institucion publik, ata kanë të drejtë t`i vendosin kamerat për të përpunuar të dhëna për çështje të tyre.
“Bazen ligjore policia e ka sipas ligjit të policisë.Ku neni 25 i ligjit e percakton që policia ka të drejtë me vendos kamerat në hapësirat publike në ato vende ku ata dyshojnë se mund të ketë ndonjë veprim kriminal ose dicka tjetër që përben veper penale sipas kodit penal në Kosovë”, tha Arbian Arifi, Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Në fazën e dytë, kamerat pritet të vendosen në së paku 40 lokacione të reja./rtk