Prodhim ka, por blerësit mungojnë: Fermerët e Vitisë përballen me krizë në treg

Prodhimi i bollshëm i këtij viti nuk u ka mjaftuar bujqve të Vitisë për të siguruar fitime. Përkundrazi, ata po përballen me një rënie të ndjeshme të shitjeve, duke vënë në rrezik investimet e tyre. Sipas vetë prodhuesve, goditjen kryesore tregut ua ka dhënë vala e shpërnguljes së banorëve drejt Perëndimit dhe rënia e fuqisë blerëse. Ndërsa zgjidhja afatgjatë kërkohet te ndryshimi i kulturës së konsumit.Mbështetja e produkteve vendore është më shumë se një zgjedhje ekonomike. Në veçanti, prodhimet bio të cilësisë së lartë janë pasuri që duhet t’i mbrojmë dhe zhvillojmë, thotë Hamdi Hasani, i cili ka të mbjellë dy hektarë me patate në Debëllde të Vitisë.

“Do t’i kthehemi tokës tonë që e kemi. E falënderojmë Zotin që e kemi dhe për prodhimin që na jep. Kompirët tanë janë kualitet. I mbjellim, 90 për qind i shesim në tregjet private në Viti, Ferizaj e Dardani. Sivjet, për momentin, nuk po na e kërkon tregu qysh na e ka kërkuar, mirëpo besoj se, meqë është kualiteti i mirë i patates tonë, do ta shesim. Nuk brengosemi për shitje”, tha Hamdi Hasani, fermer.

Megjithatë, pavarësisht cilësisë së prodhimeve vendore, fermerët thonë se tregu ka pësuar rënie të fuqisë blerëse.

“Kena mirë sivjet, por shitje nuk ka. Domethënë, tregu paksa ka rënë. Ka rënë, këtë po e shohim. Janë shpërngulur njerëzit shumë, kanë shkuar në Perëndim. S’ka që sot e gjithë ditën në treg të shesësh 50 euro, 100 euro. Shumë pak”, tha Brahim Hasani.

Fermeri Labinot Fejza, ankohet për çmimet.

“S’shkon sikur çdo vjet. Deri vjet jena konë mirë, sivjet çmimi është shumë i dobët, edhe shitja është shumë e ulët. S’ka shitje. I ecim krejt tregjet, me shumicë e me pakicë, ama s’ka. Edhe çmimet janë të dobëta”, tha Fejza.

Qytetarët thonë se dita-ditës po rritet vetëdijesimi për rëndësinë e konsumit të produkteve vendore.

“Prodhimi ynë është më i mirë, normal. E dimë se si i punojmë vetë, se këta nuk i stërpikim me helme e barna. Këta edhe i prashitim, pak më ndryshe janë”, tha Qahil Selimi – Konsumator

Sipas fermerëve, rritja e konsumit të produkteve vendore mund të ndikojë në uljen e varësisë nga importet, rritjen e prodhimit bujqësor, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve.