Gucati, ambasadorëve të huaj: Mos bëni politikë me vendimin e 16 shtatorit
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve të huaj që të mos bëjnë politikë me vendimin që shpallet më 16 shtator ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Gucati ka kritikuar deklaratat e diplomatëve dhe BE-së se procesi nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë, pasi palët kanë të drejtë ankese teksa shton se një vendim i padrejtë në shkallën e parë do t’i shkaktonte dëm Kosovës, pavarësisht rezultatit eventual në Apel, njofton Dukagjini.
Sipas Gucatit, një vendim i tillë do të mund të përdorej nga Serbia në OKB, në diplomaci dhe në fushatat për çnjohjen e Kosovës, si dhe në përpjekjet për delegjitimimin e shtetësisë së saj.
Ai ka kritikuar gjithashtu Gjykatën Speciale, duke pretenduar se ajo gjatë viteve ka prodhuar një narrativë që, sipas tij, i ka shërbyer Serbisë dhe ka dëmtuar imazhin e luftës së UÇK-së.
“Shumë ambasadorë të huaj, sikurse dje edhe BE-ja, në përpjekje për t’i menaxhuar pakënaqësitë qytetare lidhur me Gjykatën Speciale, po thonë: më 16 shtator nuk përfundon gjithçka, sepse palët e kanë Apelin. Veç çka nuk po thonë direkt: “Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”. Kjo është një lojë e pistë politike me shkallët e drejtësisë. Gjykata Speciale, që nga fillimi, u ka raportuar diplomatëve, sepse është krijuar dhe mbështetur prej tyre. Ajo nuk ka vepruar asnjëherë si një institucion i pavarur i drejtësisë. Madje, më shumë është dukur e shqetësuar për qëndrimet e përfaqësive diplomatike sesa për gjetjet e organizatave ndërkombëtare lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur aty. Për gati gjashtë vjet, kjo gjykatë ka prodhuar vetëm narrativë që i ka shërbyer Serbisë. Çdo pretendim të Serbisë e ka adresuar dhe rehabilituar. Pavarësisht mungesës së kredibilitetit të dëshmitarëve serbë, i ka pranuar si dëshmitarë. Pavarësisht paqëndrueshmërisë së dëshmive të tyre, pretendimet serbe janë trajtuar si material për gjykim. Prandaj, dëshirë e disa ambasadorëve mund të jetë edhe tani që Gjykata Speciale të vazhdojë t’i shërbejë Serbisë me një vendim në shkallën e parë, për ta korrigjuar më pas në Apel, siç po tentohet të na thuhet. Por, një vendim i padrejtë në shkallën e parë nuk zhbëhet me një pafajësi në shkallën e dytë. Dëmi për Kosovën bëhet atë ditë. Historia rishkruhet atë ditë. Serbia e shfrytëzon atë ditë. Dhe Serbia nuk e pret Apelin”, shkruan Gucati.
Gucati ka thënë se kriminalizimi i luftës së UÇK-së nuk do të prekte vetëm të kaluarën, por edhe bazën politike dhe morale mbi të cilën, sipas tij, është ndërtuar shteti i Kosovës, përfshirë ndërhyrjen e NATO-s.
Ai ka paralajmëruar se një vendim i padrejtë, sipas tij, do të mund të prodhonte pasoja të mëdha për Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë.
Tutje, Gucati u ka bërë thirrje BE-së dhe ambasadorëve të huaj që të mos ndërhyjnë politikisht në proces dhe të mos e përdorin vendimin e 16 shtatorit si mjet për të menaxhuar pakënaqësitë në Kosovë.
“Mos luani më shumë me plagët tona! Mos e bëni këtë gabim!”, ka shkuar Gucati.