Paga minimale 1000 euro, e 1 miliard për ushtrinë - Krejt çka u premtua se do të bëhet nga “Kurti 4”

Në politikën e jashtme, Kurti tha se synimi kryesor mbetet marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa deri në vitin 2030 synohet përparimi në bisedimet për anëtarësim. Ai premtoi zgjerimin e marrëdhënieve me vendet e NATO-s dhe BE-së, forcimin e diplomacisë dhe përpjekjet për njohjen e pasaportës së Kosovës në më shumë shtete.

Në mbrojtje, qeveria synon të ndajë mbi 1 miliard euro në katër vjet për ushtrinë. Kurti paralajmëroi zhvillimin e industrisë ushtarake për prodhimin e municionit, dronëve dhe robotëve, krijimin e një njësie të përbashkët ushtarake me Shqipërinë dhe themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës.

Në drejtësi, ai premtoi vazhdimin e vetingut, themelimin e një gjykate për çështje familjare dhe të një prokurorie të specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Proceset gjyqësore synohet të digjitalizohen.

Në arsim, qeveria synon dyfishimin e buxhetit për bursa, zgjerimin e çerdheve dhe arsimit parafillor, hapjen e pesë gjimnazeve të specializuara dhe shtimin e 10 profileve në arsimin dual. Interneti i shpejtë dhe falas synohet të shtrihet në 1.000 institucione parauniversitare.

Në shëndetësi, Kurti premtoi mjek familjar për çdo qytetar, kontrolle të rregullta dhe programe për zbulimin e hershëm të kancerit. Sigurimet shëndetësore u tha se pritet të funksionalizohen, ndërsa buxheti për barnat esenciale të rritet deri në 100 milionë euro. U paralajmërua edhe ndërtimi i spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj.

Në mirëqenie sociale, shtesat për fëmijë do të dyfishohen, ndërsa paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet. Qeveria synon që paga mesatare në sektorin publik të kalojë 1.000 euro dhe të nisë zbatimin e pagës së 13-të në sektorin publik dhe privat.

Në ekonomi, Kurti premtoi një program prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri, si dhe themelimin e Bankës Zhvillimore. Brenda mandatit, ai tha se do të nisë themelimi i një kompanie ajrore me kapital publik.

Për transportin, synohet krijimi i një rrjeti të përbashkët në tërë Kosovën dhe një biletë mujore e subvencionuar prej 10 eurosh. Në turizëm, projekti i Brezovicës parashikon investime deri në 500 milionë euro.

Në energji, Kurti tha se synon rritjen e prodhimit nga era dhe dielli, ndërsa në infrastrukturë premtoi nisjen e hekurudhës Gjakovë-Shkodër dhe projekte të tjera rrugore e hekurudhore. Synimi tha se është që investimet kapitale vjetore të kalojnë 1 miliard euro.

Për diasporën, Kurti shtoi se synon të mbështesë deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë dhe të zgjerojë shërbimet konsullore digjitale./REL