Tahiri: Kemi një Kuvend dhe Qeveri jashtëkushtetuese

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare dhe Qeverinë Kurti, duke i akuzuar për thellim të krizave politike, institucionale, kushtetuese dhe ekonomike.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Tahiri ka thënë se Kosova po përballet me kriza prej gati dy vitesh, ndërsa vendi ka, sipas tij, një Kuvend dhe Qeveri jashtëkushtetuese.“Një shumicë pa busull”, e ka titulluar reagimin e tij deputeti i AAK-së.

“Kur po bëhen gati dy vite me kriza politike, institucionale, kushtetuese, por edhe ekonomike, kemi një Kuvend dhe një Qeveri jashtëkushtetuese. Një shumicë që prodhon kriza në një kohë kur për vendin priten vendime jetike për historinë, por edhe për të ardhmen”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka akuzuar shumicën parlamentare për lojëra politike dhe makinacione, duke iu referuar edhe zhvillimeve të fundit në Kuvend dhe votimeve lidhur me deklaratat e Listës Serbe.“Kriza dhe lojëra politike, kjo është logjika e tyre. Vetëm brenda dy ditëve kemi parë plot makinacione e papërgjegjësi që shpërfaqin të vërtetën e tyre. Përmes votimit treguan se sa të vërteta i kishin qëndrimet e tyre ndaj deklaratave antishtetërore të Listës Serbe”, ka deklaruar ai.

Tahiri ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti, duke thënë se ajo përsërit premtimet pa sjellë rezultate konkrete.

“Qytetarët i panë dhe i dëgjuan edhe një herë fjalët boshe të qeverisë jokushtetuese Kurti 4, e cila, veç numrave dhe viteve të humbura, përsërit premtimet dhe thellon krizat. Asnjë sukses, asnjë rezultat”, ka shkruar deputeti.

Duke folur për gjendjen ekonomike, Tahiri ka përmendur shpenzimet e miliona eurove, rritjen e çmimeve të naftës dhe faturave të energjisë, si dhe inflacionin.

“Miliona të shpenzuara pa asnjë projekt të përmbyllur. Kjo po ndodh në një kohë kur kriza e çmimeve ka rënduar jetën e qytetarëve, kur nafta ka arritur në 1 euro e 83 cent, faturat e energjisë kanë prekur kulmin dhe inflacioni për të njëjtën periudhë është rritur në 7.3%”, ka shkruar ai.Në fund, deputeti i AAK-së ka thënë se shumica parlamentare po e dëmton edhe rrugën e qytetarëve dhe të shtetit.

“Këtyre njerëzve u ka humbur busulla, dhe po ia humbin rrugën edhe popullit e shtetit”, ka përfunduar Tahiri.