Nis seanca për formimin e qeverisë së re të Kosovës

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë së Kosovës. Në këtë seancë nuk po marrin pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.

Kjo seancë vjen pak pasi ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.

Gjatë paradites së sotme është konstituuar edhe Kuvendi i Kosovës, me zgjedhjen e katër nga pesë nënkryetarët.

Pozita e nënkryetarit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbetur e paplotësuar, pasi PDK-ja ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancat konstituive dhe se këtë çështje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.