Nagavci: Presim të votohet qeveria “Kurti”
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur para nisjes së seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Nagavci ka bërë të ditur se 48 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, ku pritet të votohet Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Por në emër të 48 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë kemi dërguar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, ku presim të votohet Qeveria Kurti, në mënyrë që të kemi qeverinë me mandat të plotë në detyrë”, ka deklaruar Nagavci.
Ndërkaq, lidhur me mundësinë që të ketë seancë edhe gjatë mbrëmjes për zgjedhjen e presidentit/es, Nagavci tha se nuk mund ta konfirmojë një gjë të tillë.
Ajo theksoi se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që institucionet të konstituohen me mandat të plotë dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
“Nuk mund të konfirmoj se po diskutojmë edhe diçka të tillë, por ju e dini që synimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë që të konstituohen të gjitha institucionet me mandat të plotë dhe të shmangen edhe një palë zgjedhje të reja”, tha ajo.