Osmani e bindur se bënë zgjidhje të mirë me Kurtin me propozimin për president: Punuam bashkë, ia dolëm

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për marrëdhënien e saj me kryeministrin Albin Kurti, duke pranuar se mes tyre vijojnë të ketë dallime, pavarësisht se së fundmi kanë arritur të bashkëpunojnë.

E pyetur nëse marrëdhënia e saj me Kurtin ka ndryshuar, Osmani tha se dy palët kanë punuar së bashku për të gjetur një president të përshtatshëm për vendin, por theksoi se dallimet mes tyre mbeten.

“Tani për tani sikur ne e dimë shumë mirë që jemi opozita dhe ai është në qeveri. Por në të njëjtën kohë, kohët e fundit kemi punuar së bashku për të gjetur një president të përshtatshëm për këtë vend dhe ia dolëm. Pra, kjo është një gjë në të cilën arritëm të punonim së bashku, në një mënyrë të mirë. Unë besoj fort gjithashtu në interesin dhe interesin afatgjatë të këtij vendi, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi dallime në kaq shumë çështje të tjera. Ato dallime mbeten, dhe kjo është arsyeja pse kemi vendosur të qëndrojmë në opozitë”, tha Osmani knë euronews.

Sipas saj, pasiguria politike dhe institucionale po i shkakton Kosovës një dëm të jashtëzakonshëm, i cili në këtë pikë mund të jetë edhe i pariparueshëm.

“Në këtë pikë, është vërtet e pasigurt nëse do të kemi institucione apo jo, gjë që është për të ardhur keq. Për popullin e Kosovës, por edhe për interesat e Kosovës brenda vendit dhe ndërkombëtarisht, sepse dëmi është i jashtëzakonshëm. Në këtë pikë, duket sikur është gjithashtu i pariparueshëm”, u shpreh ajo.

Duke folur për shkaqet e ngërçit politik në Kosovë, Osmani tha se bëhet fjalë për një kombinim faktorësh, ndërsa solli si shembull modelin politik të ish-presidentit Ibrahim Rugova.