Turistët zgjedhin Vlorën edhe në shtator

Muaji shtator vijon të sjellë turistë dhe vizitorë në Vlorë, të cilët zgjedhin qytetin bregdetar për të shijuar ditët e fundit të verës, bukuritë natyrore dhe atmosferën e veçantë që ofron qyteti.

Pas fluksit të lartë të vizitorëve gjatë muajve të verës, Vlora vijon të mbetet një destinacion i preferuar edhe në shtator, periudhë e cila karakterizohet nga një klimë më e butë dhe një atmosferë më e qetë, duke krijuar mundësi për pushuesit që duan të shijojnë bregdetin dhe destinacionet turistike të zonës.

Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini ndau përshtypjet e turistëve që po kalojnë këto ditë shtatori me diell në qytetin bregdetar.

“Turistët e shtatorit e shijojnë Vlorën jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për mikpritjen që gjejnë”, tha  Mersini.

Një turiste nga Ukraian tha se “ka det të bukur dhe atmosferë shumë të këndshme në Vlorë. Pashë në Instagram dhe Booking dhe zgjidha Vlorën për të kaluar disa ditë pushimi”.

“Jam për herë të dytë në Shqipëri dhe për herë të parë në Vlorë. Njerëzit janë të mrekullueshëm, keni njerëz shumë miqësorë dhe të sjellshëm”, tha një tjetër turiste.

Mes tyre janë edhe pensionistët, të cilët e shohin muajin shtator si një periudhë të përshtatshme për të pushuar në Vlorë, larg fluksit të madh të muajve të verës.

Turistët që mbërrijnë në Vlorë gjatë këtij muaji kanë mundësi të kombinojnë qëndrimin në bregdet me vizitat në pika të ndryshme turistike, duke nisur nga Lungomare dhe plazhet, deri te zonat natyrore dhe atraksionet historike e kulturore të qytetit dhe rrethinave.

Përtej peizazheve dhe pasurive natyrore, një prej elementeve që vlerësohet nga vizitorët mbetet mikpritja e banorëve vendas, e cila i jep qytetit një tjetër dimension dhe kontribuon në përvojën e turistëve gjatë qëndrimit të tyre.

Me detin, natyrën, klimën e favorshme dhe ofertën turistike, Vlora vijon të jetë një prej destinacioneve të rëndësishme turistike të Shqipërisë edhe gjatë muajit shtator, duke dëshmuar se sezoni turistik në qytetin bregdetar shtrihet përtej muajve të pikut të verës./atsh