Vala e vjedhjeve trondit muzetë franceze, nga bizhuteritë e lashta te pikturat e Renoir

Një valë vjedhjesh ka vënë në alarm muzetë në Francë, ku grabitësit po godasin gjithnjë e më shpesh koleksionet e pasura me bizhuteri, objekte të lashta dhe vepra arti me vlerë të lartë.

Në korrik, në një muze në lindje të Francës, dy persona të maskuar me paruke thyen me vare dhe çekiç një vitrinë dhe vodhën një gjerdan ari rreth 2,500-vjeçar. Grabitja zgjati më pak se katër minuta.

Në një tjetër muze francez, tre persona të maskuar vodhën 27 bizhuteri me vlerë mbi 4.5 milionë euro, pasi depërtuan përmes dy dyerve. Ndërkohë, këtë javë, në një muze në Rivierën Franceze, hajdutët prenë një rrethim dhe hynë përmes një dritareje, duke u larguar me dy piktura të piktorit impresionist Pierre-Auguste Renoir. Dy vepra të tjera u braktisën gjatë arratisjes.

Vjedhjet kanë rikthyer në vëmendje problemin e sigurisë së muzeve franceze, sidomos pas grabitjes spektakolare të bizhuterive të kurorës në Luvër vitin e kaluar, ku u vodhën sende me vlerë rreth 88 milionë euro.

Franca ruan mijëra muze dhe koleksione që përfaqësojnë shekuj të historisë, artit dhe kulturës së saj. Këto institucione janë një burim krenarie kombëtare dhe një ndër arsyet kryesore që miliona turistë vizitojnë vendin çdo vit. Por mbrojtja e këtyre pasurive kërkon investime të mëdha, ndërsa ndërtesat historike dhe buxhetet e kufizuara i bëjnë disa muze objektiva të lehta për kriminelët.

Rasti i fundit në Cagnes-sur-Mer, pranë Cannes dhe Nice, tregon shpejtësinë me të cilën mund të kryhen këto grabitje. Dy hajdutë vodhën “Portrait of Madame Colonna Romano” dhe “Young Woman at the Well”, ndërsa gjatë arratisjes braktisën “Portrait of Madame Pichon” dhe “Coco Reading”. Sipas kryetarit të qytetit, Bryan Masson, grabitja zgjati më pak se tre minuta dhe vlera e katër veprave vlerësohet në rreth 9 milionë euro.

Sipas Europol-it, grabitjet në muze po bëhen gjithnjë e më të dhunshme, me përdorimin e vareve, sëpatave, levave dhe madje edhe eksplozivëve për të hyrë në ndërtesa ose për të thyer vitrina. Agjencia ka paralajmëruar gjithashtu se kriminelët po synojnë gjithnjë e më shumë objekte që përmbajnë ar dhe metale të çmuara, të cilat mund të shkrihen, si dhe gurë të çmuar që mund të hiqen e të shiten veçmas.

Sipas Jean-Christophe Castelain, drejtor i revistës së artit “Le Journal des Arts”, këtë verë janë regjistruar dhjetë grabitje që kanë shënjestruar muze në Francë dhe vende të tjera evropiane. Tetë prej tyre përfshinin bizhuteri, monedha ose objekte antike që mund të shkrihen më lehtë dhe të shndërrohen në materiale me vlerë.

Në Muzeun Lalique në Wingen-sur-Moder, pranë kufirit me Gjermaninë, plagët e grabitjes së 5 korrikut janë ende të freskëta. Hajdutët thyen gjashtë vitrina me vare dhe çekiçë për të marrë bizhuteri. Muzeu nuk është rihapur që atëherë, ndërsa drejtuesja Véronique Brumm Schaich ka bërë të ditur se institucioni ka nevojë për rreth 200 mijë euro për përmirësimin e sigurisë.

“Metodat e grabitësve po evoluojnë”, është shprehur ajo, duke theksuar se rastet e fundit tregojnë nevojën për masa më të forta mbrojtëse.

Edhe fondacionet që mbështesin trashëgiminë kulturore po kërkojnë më shumë investime. Guillaume Poitrinal, president i Fondation du patrimoine, ka argumentuar se mbrojtja e veprave dhe objekteve që i përkasin trashëgimisë franceze duhet të konsiderohet përgjegjësi e përbashkët.

“Duhet ta bëjmë më të vështirë vjedhjen e veprave të artit dhe objekteve që janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Francës”, ka thënë ai, duke shtuar se për këtë nevojiten investime.

Vala e fundit e grabitjeve tregon se pasuria kulturore e Francës mbetet njëkohësisht një burim krenarie dhe një sfidë e madhe për institucionet që kanë për detyrë ta mbrojnë atë. Ndërsa veprat e njohura janë pothuajse të pamundura për t’u shitur hapur, objektet prej ari dhe metaleve të çmuara paraqesin një objektiv gjithnjë e më tërheqës për rrjetet kriminale. /kultplus