"Amaneti ka peshë, dhe kur kujtesa na kthen pas, në zemër kemi UÇK-në", edhe Edona Llaloshi reagon për Marshin për Liri

Në lidhje me “Marshin për Liri” që po mbahet sot në Prishtinë, ka reaguar edhe këngëtarja e njohur shqiptare dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llalloshi.

Përmes një fotografie të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, nga xhirimet e videoklipit të këngës “Duhet”, Llalloshi ka ndarë një mesazh të gjatë lidhur me rëndësinë e kujtesës, trashëgimisë dhe sakrificës ndër breza.

Ajo e ka nisur reagimin duke iu referuar tokës së Kosovës si një trashëgimi të përcjellë ndër breza, duke theksuar gjurmët e njerëzve që kanë jetuar dhe kanë kontribuar në të.

“Toka jonë e trashëguar ndër breza. Mbi këtë tokë kanë ecur njerëz të cilët kanë lënë gjurmë. Gjurmët e tyre janë të pranishme kudo. Ata kanë ngritur kala, kanë ruajtur gjuhën dhe kanë përcjellë zakonet”, ka shkruar ajo.

Llalloshi më tej ka theksuar se kjo trashëgimi bart edhe përgjegjësi për brezat e sotëm.

“Ne jemi pas tyre dhe e kemi këtë trashëgimi në duart tona. Por trashëgimia është amanet. Amaneti ka peshë”, ka shkruar deputetja.

Në reagimin e saj, ajo është ndalur edhe te lidhja emocionale me Kosovën dhe kujtesën kolektive, duke thënë se kjo tokë i kthen njerëzit te rrënjët dhe te ata që kanë lënë gjurmë ndër vite.

“Dhe kur kujtesa na kthen pas, në zemër kemi UÇK-në”, ka deklaruar Llalloshi.

Ajo ka shtuar se trashëgimia nuk duhet të shihet vetëm si diçka e marrë nga të parët, por edhe si përgjegjësi për t’u mbrojtur dhe kultivuar nga brezat e rinj.

“Ndoshta kjo është arsyeja pse trashëgimia nuk është thjesht ajo që kemi marrë nga të parët, por është ajo që jemi të detyruar ta mbrojmë e ta kultivojmë, larg qoftë ta lëmë pas dore”, ka shkruar ajo.

Në fund, Llalloshi ka përcjellë edhe një mesazh për brezat që do të vijnë.

“Një ditë, nëse kjo tokë do të heshtë për ne, ajo nuk duhet të heshtë për ata që do të vijnë pas nesh”, ka përfunduar ajo, duke e nënshkruar reagimin si “Artiste dhe deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. /telegrafi

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Edona Llalloshi Official (@edonallalloshi)