Lexuesit po i thonë “mjaft” presionit për të lexuar sa më shumë libra

Leximi dikur ishte një aktivitet i qetë dhe personal, por vitet e fundit ai është shndërruar për shumë njerëz në një garë për të pasur sa më shumë libra në raft dhe për të lexuar sa më shumë tituj brenda një viti.

Lista e librave që presin të lexohen, e njohur si TBR (“To Be Read”), për disa lexues tashmë është bërë aq e gjatë sa duket sikur mund të zgjasë për disa jetë. Libra të paprekur, botime speciale, porosi paraprake dhe blerje të nxitura nga rrjetet sociale janë bërë pjesë e një kulture leximi që shpesh shoqërohet edhe me presionin për të mos mbetur pas.

Por duket se lexuesit po fillojnë të reagojnë ndaj kësaj tendence.

Sipas të dhënave të Fable dhe Everand, gjatë vitit 2026 buxhetimi për libra është kthyer në një nga temat më të diskutuara në komunitetet e lexuesve. Gjithnjë e më shumë njerëz po flasin për shpenzimet dhe presionin që vijnë nga librat viralë, publikimet e shumta të reja dhe blerjet masive të librave të promovuara në rrjetet sociale.

Në vend të kësaj, një pjesë e lexuesve po zgjedhin alternativa më të përballueshme, si bibliotekat, libraritë e dorës së dytë dhe shërbimet me abonim. Kjo qasje po shihet si një mënyrë për ta rikthyer leximin në një aktivitet më të qetë dhe më pak të lidhur me konsumin.

Tendenca lidhet edhe me një tjetër ndryshim që platformat e leximit kanë vërejtur gjatë këtij viti: “leximi i ngadaltë”. Në vend të objektivave të mëdha dhe sfidave për të përfunduar dhjetëra apo edhe 100 libra në vit, lexuesit po vendosin synime më të vogla dhe po i japin vetes më shumë kohë për ta shijuar librin që kanë në duar.

Në këtë mënyrë, ideja nuk është më të lexosh një numër të caktuar librash vetëm sepse dikush në internet e ka bërë këtë, por të rikthehesh te kënaqësia e thjeshtë e leximit.

Ironikisht, rrjetet sociale ndihmuan që leximi të bëhej sërish modë, veçanërisht përmes komuniteteve të lexuesve dhe tendencave si “BookTok”. Por po të njëjtat platforma duket se po i ndihmojnë lexuesit të zbulojnë një ide edhe më të thjeshtë: nuk ka nevojë të blesh vazhdimisht libra të rinj për të qenë lexues i mirë.

Ndonjëherë mjafton të hapësh një nga librat që ke tashmë në raft dhe thjesht të fillosh ta lexosh. /kultplus