Ali Ahmeti: Ndihem nën ethe për verdiktin final në Hagë
Sot në Prishtinë me fillim nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet “Marshi i Lirisë” në solidarizim me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Lideri politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti tha se si të gjithë shqiptarët e tjerë është nën ethe për një proces që siç tha ai ka filluar nga një material me bazë në Beograd dhe Moskë mbi pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve të njerëzve të ndërlidhura me UÇK-në nga deputeti zviceran, Dick Marty.
“Si të tërë ata që janë përkrah çlirimtarëve që janë në ethe edhe unë e ndjej vetën tepër në ethe, për një proces që ka filluar për një dokument mbi “Shtëpinë e Verdhë” se gjoja UÇK ka qenë ndërmarrje kriminale për tregtimin e organeve të njerëzve, një material voluminoz nga deputeti zviceran Dick Marty me çka u alarmua tërë Evropa tërë opinioni botëror me këtë histori të sajuar nga çarqe anti-shqiptare me burim tanimë të njohur në Beograd dhe Moskë për të denigruar UÇK-në, për të hapur fazën e dytë në drejtim të ngritjes së akuzave për një luftë gjoja se të padrejtë që SHBA e kanë mbështetur. E kanë mbështetur UÇK-në NATO, vende të cilat kanë qenë të interesuara për ndërprerjen e gjenocidit dhe masakrave në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se pret që verdikti final të jetë i drejtë për shkak që lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin e vendit.
“Pres që të gjitha shtetet demokratike: SHBA dhe të BE-së dhe këto shtete ku është ndërtuar demokracia e mirëfilltë që kanë kaluar në procese çlirimtare dhe e dinë sakrificën për të arritur te liria, të gjithë këta e dijnë që këto janë procese të vështira, të dhimbshme me kosto të lartë të humbjes së jetëve të njerëzve dhe të ndikojnë moralisht në trupin gjykues që të mos mirret vendimi i keq që nuk e presin vendimin e keq që nuk e presin shqiptarët, sepse këta çlirimtarë, bashkëluftëtarët tanë akuzohen për vepra të pa bëra dhe në asnjë proces nuk është dëshmuar që ata kanë bërë vepra anti-njerëzore, por pikën kryesore e kanë pasur për luftën për çlirimin e vendit”, tha ai. /Klankosova