Detaje të tmerrshme nga grabitja e Donnarummas: U rrah dhe u lidh, partnerja shtatzënë u sulmua
Detaje tronditëse nga grabitja brutale e vitit 2023, ku Gianluigi Donnarumma dhe partnerja e tij Alessia Elefante u sulmuan në apartamentin e tyre luksoz në Paris, janë zbardhur gjatë një seance gjyqësore në kryeqytetin francez.
Ngjarja ndodhi në apartamentin e çiftit në Avenue Montaigne, një prej zonave më të njohura dhe luksoze të Parisit, teksa Donnarumma dhe Elefante po flinin.
Sipas dokumenteve të gjykatës, portieri italian u zgjua nga gjumi pasi njëri prej grabitësve iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Më pas, ai e kërcënoi me thikë dhe i kërkoi të dorëzonte sendet me vlerë.
“Shshsh”, i kishte thënë grabitësi, para se ta godiste, ndërsa më pas i bërtiti: “Ora, ora!”.
Donnarumma u detyrua t’u tregonte grabitësve orën e tij luksoze Audemars Piguet, e cila ndodhej mbi tavolinën e dhomës së zhveshjes. Vlera e sendeve të vjedhura arrinte në qindra mijëra euro.
Por situata u bë edhe më e rëndë kur u zgjua Alessia Elefante, e cila në atë kohë ishte shtatzënë. Ajo u dorëzoi grabitësve orën e saj Cartier, bizhuteritë dhe rreth 2,000 euro para të gatshme.
Megjithatë, grabitësit kërkuan edhe kodin e kasafortës. Kur Elefante u tha se nuk e dinte kodin dhe se kasaforta ishte bosh, ata u tërbuan.
“Pasi thashë se nuk e dija kodin dhe se kasaforta ishte bosh, ata u zemëruan, duke menduar se po gënjeja. Më tërhoqën nga flokët dhe njëri prej tyre më goditi në kofshë. Edhe pse u thashë se isha shtatzënë, ata nuk u ndalën”, ka deklaruar ajo.
Donnarumma më pas ua dha grabitësve kodin e kasafortës, por brenda saj nuk kishte asgjë, ashtu siç kishte deklaruar partnerja e tij.
Pas sulmit fizik dhe pasi çifti u lidh, grabitësit u larguan nga apartamenti duke marrë me vete para, orë luksoze, bizhuteri, çanta të markave të njohura, si dhe çelësat e automjeteve Mercedes dhe Lamborghini.
Hetimi zbuloi gjithashtu mënyrën e pazakontë se si grabitësit kishin hyrë në apartament. Sipas autoriteteve, ata kishin hyrë me forcë duke zbritur nga çatia e ndërtesës.
Ngjarja la të tronditur çiftin, ndërsa detajet e zbardhura tashmë në gjykatë tregojnë për një grabitje të organizuar dhe veçanërisht brutale, e cila ndodhi në një prej zonave më luksoze të Parisit. /telegrafi