Durmishi: UÇK-ja është vlera më e lartë kombëtare, thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, që mbahet sot në Prishtinë.

Durmishi ka vlerësuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson një nga vlerat më të larta kombëtare dhe ka kërkuar drejtësi dhe liri për ish-pjesëtarët e saj që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

“UÇK-ja është vlera më e lartë kombëtare që nga koha e Skënderbeut. Lufta jonë ishte e drejtë. Ishte luftë për liri. Prandaj presim drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Durmishi.

Ai ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si “monstrum juridik” dhe ka akuzuar deputetët që kanë votuar për themelimin e saj.

“Dëmi tashmë është bërë i pariparueshëm, sepse nga kjo gjykatë kemi edhe dënime. Më e pakta që duhet të ndiejnë sot deputetët që e votuan këtë gjykatë, është turpi për dëmin që ia kanë shkaktuar historisë sonë të lavdishme”, ka deklaruar Durmishi.

Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit në sheshin “Skënderbeu”.

“Ejani të gjithë në Sheshin ‘Skënderbeu’, në mbështetje të çlirimtarëve! Liri për çlirimtarët!”, ka shkruar ai.