Mbi 11 milionë euro, projektbuxheti i Shtimes për 2027
Në Shtime është mbajtur dëgjimi i fundit publik në kuadër të hartimit të Projektbuxhetit për periudhën 2027-2029.
Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, drejtori për Buxhet dhe Financa, Besnik Ahmeti, përfaqësues të ekzekutivit dhe kuvendit komunal, si dhe qytetarë e përfaqësues të grupeve të ndryshme.
Sipas prezantimit të komunës, buxheti i planifikuar për vitin 2027 është mbi 11 milionë euro, duke shënuar rritje krahasuar me vitin aktual.
Gjatë dëgjimit, qytetarët paraqitën kërkesat dhe propozimet e tyre, kryesisht për investime në infrastrukturë, si ndriçimi publik, kanalizimet, ujësjellësi, trotuaret dhe përmirësimi i shërbimeve publike.
Kryetari Aliu tha se kërkesat e qytetarëve do të shqyrtohen dhe do të merret parasysh mundësia e përfshirjes së tyre në buxhetin e vitit 2027.
Ky ishte dëgjimi i fundit publik i organizuar nga Komuna e Shtimes për hartimin e Projektbuxhetit 2027.