Gjini takon Prattipatin: Aleanca nuk lejon hapa prapa në rrugën euroatlantike
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka zhvilluar takim me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas Gjinit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Gjini ka thënë se e ka njoftuar përfaqësuesen amerikane për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin e saj për mbrojtjen e interesit të shtetit dhe të demokracisë.
“Në këtë kohë sfidash, Aleanca e konsideron përgjegjësi të mos lejojë cenimin e të arriturave të Kosovës dhe asnjë hap prapa në rrugën e saj euroatlantike”, ka shkruar Gjini.
Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Znj. Prattipati e falënderova për rolin e saj aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proceset e rëndësishme që po kalon vendi ynë”, ka deklaruar Gjini.