Kurti i bën thirrje Hamzës për takim, do ta votojmë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të përfundojë sa më shpejt, duke i bërë thirrje PDK-së që të rikthehet në proces dhe të votojë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kurti tha se zgjedhja e nënkryetarëve është pjesë e procesit të konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së XI-të.

Sipas Kurtit, PDK-ja nuk është dashur ta braktisë procesin e konstituimit dhe shpreson që deputetët e kësaj partie të marrin pjesë në seancën e së dielës.

“Unë besoj që PDK-ja nuk është dashur ta braktisë procesin e konstituimit të Kuvendit. Shpresoj që të vijnë të dielën, në mënyrë që t’i sjellim edhe këta katër nënkryetarë të tjerë, dhe mandej të procedojmë me qeveri e zgjedhje të presidentit”, tha Kurti.

Ai u shpreh kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe të kushtueshme. Sipas tij, për të shmangur një skenar të tillë nevojitet një marrëveshje politike mes partive.

“Po e ritheksoj se duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja, që janë të panevojshme, të përsëritura, të paarsyeshme, të kushtueshme. Dhe për këtë na nevojitet marrëveshja politike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë tha gjithashtu se i ka dërguar mesazh kryetarit të PDK-së për një takim, por nuk ka marrë përgjigje.

“PDK-së për ta zgjidhur nënkryetarin nga radhët e saj i nevojiten votat e VV-së, ndërsa VV-së për ta zgjedhur presidentin i nevojitet mungesa e bojkotit apo vota kundër e PDK-së”, tha Kurti.

Ai vlerësoi se pikërisht këto rrethana dëshmojnë se ekzistojnë arsye të mjaftueshme që subjektet politike të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje.

“Kjo tregon që ka shumë arsye që të takohemi. Dua të takohemi, të bisedojmë dhe aty t’i diskutojmë emrat”, përfundoi Kurti.