LIVE | Ndërpritet seanca, do të vazhdojë të dielën
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë seancën konstituive sërish.
Ndërprerja erdhi, pasi LDK-ja refuzoi të propozonte emrin e tyre për nënkryetar të Kuvendit, duke tejkaluar PDK-në, e cila nuk mori pjesë në seancën e dytë brenda ditës, pasi në të parën LVV-ja nuk e votoi Vlora Çitakun për nënkryetare.
Pas kësaj situate, Haxhiu ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se e njëjta do të vazhdojë të dielën në orën 10:00, raporton Zeri.info.
LDK-ja refuzon të propozojë nënkryetar pa u zgjedhur ai nga PDK-ja, lëshon sallën
LDK-ja ka refuzuar të propozojë kandidat për nënkryetar, derisa ai nga PDK-ja si partia e dytë nuk është zgjedhur akoma.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, kërkoi nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të gjejnë një zgjidhje para se të kërkohet propozimi i tyre për nënkryetar të tretë, transmeton Zeri.info.
“Nuk kemi të drejtë të vazhdojmë seancën derisa nënkryetari i dytë nuk zgjidhet. Është e rëndësishme të respektohet procedura”, tha Lushaku.
Pas kësaj Haxhiu ka insistuar që të nis votimi, por deputetët e LDK-së kanë lëshuar sallën. /Zëri
Gati të nisë seanca, PDK-ja nuk merr pjesë
Kuvendi i Kosovës është mbledhur sërish në një seancë tjetër për t’u konstituuar.
Në sallë nuk janë paraqitur deputetët e PDK-së, pasi lëshuan sallën gjatë seancës së më hershme, kur kandidatja e tyre për nënkryetare të Kuvendit, Vlora Çitaku nuk mori votat për t’u zgjedhur në këtë pozitë, pasi LVV-ja abstenoi, transmeton Zeri.info.
Vazhdimi i seancës, Lista Serbe e para në sallë
Kuvendi i Kosovës ka thirrur vazhdimin e seancës prej orës 14:00.
Të parët që kanë hyrë në sallën e Kuvendit janë deputetët e Listës Serbe, transmeton Zeri.info.
Kuvendi do të bëjë përpjekjen e radhës të konstituimit, pasi dështoi votimi i nënkryetares nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila nuk mori vota të mjaftueshme, pasi LVV-ja abstenoi në votim. /Zëri