Rama në Kuvendin e Prishtinës: Tulltorja nuk po falet, kryeqyteti përfiton mbi 50 milionë euro

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal se prona në lokacionin e Tulltores nuk do të tjetërsohet, por do të jepet në shfrytëzim për zhvillimin e një projekti të ri.

Rama ka thënë se bëhet fjalë për një projekt që synon transformimin e hapësirës së Tulltores në një Qendër për Zhvillimin e Artit, Kulturës dhe Teknologjisë.

“Ky projekt votohet sot. Tulltoren, nga hapësirë e mbuluar me bërllog, e pazhvilluar, e pasigurt dhe pa funksion për qytetin, po e kthejmë në Qendër për Zhvillimin e Artit, Kulturës dhe Teknologjisë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se toka do të mbetet pronë e Kryeqytetit, ndërsa përmes dhënies në shfrytëzim Komuna pritet të përfitojë të hyra të konsiderueshme.

“Kjo tokë nuk falet. Toka mbetet pronë e Kryeqytetit. Jepet në shfrytëzim për me u zhvillu dhe, për këtë shfrytëzim, Kryeqyteti përfiton 1 milion euro çdo vit. 50 vjet, mbi 50 milionë euro për Kryeqytetin”, ka thënë ai.

Sipas Ramës, pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar mbi të do t’i mbetet Kryeqytetit.

“Prandaj, mos e dezinformoni qytetarin duke i thënë se po falet toka. Nuk po falet asnjë metër pronë komunale”, është shprehur Rama.

Ai ka shtuar se projekti parasheh edhe ndërtimin e parkingut nëntokësor, me qëllim përmirësimin e qasjes drejt qendrës së qytetit dhe lehtësimin e mobilitetit.

Rama ka përmendur edhe nevojën për zhvillimin e lagjeve të vjetra të Prishtinës, duke thënë se zona si Arbëria, Tophanja dhe Kodra e Trimave nuk duhet të mbeten pa qasje dhe zhvillim.

“Ne duhet me e zhvillu Prishtinën brenda Prishtinës”, ka deklaruar ai.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës kishte gjithsej 22 pika të rendit të ditës, të cilat lidhen me projekte dhe çështje të ndryshme zhvillimore në kryeqytet.

Rendi i ditës u votua me 28 vota për, tri kundër dhe asnjë abstenim.