“Trepça” rikthen në menaxhim dy lokale në Mitrovicën e Veriut, pas 27 vjetësh

“Trepça” SHA ka rikthyer në menaxhimin e saj dy lokale në sheshin e Mitrovicës së Veriut, në rrugën “Koloshini”, të cilat për 27 vjet kishin qenë jashtë menaxhimit të ndërmarrjes.

Sipas njoftimit të “Trepçës”, rikthimit të kësaj prone i ka paraprirë njoftimi zyrtar i datës 27 gusht 2026, përmes të cilit ndërmarrja, duke u bazuar në të dhënat e Certifikatës së Pronësisë, kishte kërkuar lirimin e pronës brenda afatit të përcaktuar dhe paraqitjen e dokumentacionit që dëshmon të drejtën e shfrytëzimit të saj.

“Trepça” ka bërë të ditur se ky rikthim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen, rikthimin dhe administrimin e pronës së ndërmarrjes.

Ky proces vjen pas lirimit të pesë objekteve të tjera gjatë periudhës së fundit, duke shënuar një seri veprimesh për kthimin e pronave nën menaxhimin e “Trepçës” SHA.

“27 vjet jashtë menaxhimit. Sot, përsëri nën menaxhimin e ‘Trepçës’”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.