Thaçi për Ramën: I jam mirënjohës nga zemra, pres një aktgjykim të drejtë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur lidhur me organizimin e samitit të NATO-së në vitin e ardhshëm në Tiranë duke e cilësuar atë si pikën më kulminante të historisë politike të Shqipërisë krahas anëtarësimit të saj në organizatën euro-atlantike të mbrojtjes.

Thaçi në një intervistë në "Top Channel" falenderoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për vizitat e tij në Hagë duke vlerësuar angazhimin e tij politik për synimin e tij të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

"Pres një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga askush dhe nga asnjë lloj motivi. Të vërtetën e kanë parë gjyqtarët, realitetin e ka parë edhe bota. Tashmë u mbetet atyre të nxjerrin vendimin; është në duart e tyre. Edi më ka vizituar disa herë. I jam mirënjohës nga zemra. Ai, pikërisht përmes reformave, ka vendosur ta bëjë Shqipërinë evropiane.Nganjëherë mendoj, duke parë vështirësitë me të cilat ballafaqohet në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, sikur ta jetonin këtë kohë Noli dhe Konica, do ta shpallnin të çmendur, aventurier apo gjeni. Do t’u dukej mision i parealizueshëm.Dihet ata (Noli dhe Konica) zhvilluan beteja politike, diplomatike dhe mediale; disa i fituan e shumë i humbën. E disa nuk i ndalen deri në frymën e fundit. (raportet dhe ballafaqimet mes tyre, nuk janë objekt i këtij shënimi nga ana ime).Të gjorët u munduan për perëndimizimin e Shqipërisë dhe shqiptareve, por, nga mbetjet me feude lokale u intriguan, u baltosën, u zhgënjyen, u kërcënuan, U DORËZUAN, IKËN dhe nuk u kthyen më.Edi po e vlerëson besimin qytetar dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Po e dëgjon me vëmendje edhe kritikën. Hallall, nuk po dorëzohet përballë vështirësive. Shqipëria po ecën përpara", tha Thaçi.

Ai tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama lehtësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes.

"Konfirmimi për organizimin e samitit të NATO-së vitin e ardhshëm në Tiranë, krahas anëtarësimit të saj në NATO, është pika kulminante e historisë politike të Shqipërisë. Paraqet besimin e perëndimoreve për progresin e euro-atlantik të saj. Ky fakt duhet të bëjë të ndihet mirë çdo shqiptar. Pas dështimit të Kosovës për prezencë në samitin e Ankarasë, shpresoj që Edi të gjej ndonjë hapësirë legale për pjesëmarrje e Kosovës në margjinat e samitit në Tiranë. Edi e lehtësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Samiti i NATO-së mund të jetë më i vështirë për përpjekjet e tij. Por, edhe Kosova duhet ta ndihmoj vetveten".